Institucioni Mikrofinanciar “KosInvest” dhe Kolegji AAB nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi
Të gjithë studentët e Fakultetit Ekonomik të Kolegjit AAB që kanë motiv dhe dëshirë për t’ u zhvilluar në sektorin mikrofinanciar, tashmë kanë edhe një mundësi tjetër për të kryer praktikën profesionale. Kjo pasi sot u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit në mes të Kolegjit AAB dhe Institucionit Mikrofinanciar “KosInvest”. Marrëveshja e nënshkruar sot, ka për qëllim të zhvillojë profesionalisht njohuritë e studentëve përmes përvojës teorike dhe praktike.
Për më shumë, përmes programit të praktikës, praktikantët do të kenë mundësi që të mësojnë nga afër se si funksionon një institucion mikrofinanciar, duke u përfshirë në degët e KosInvest si dhe departamentet e zyrës qendrore. Kjo marrëveshje u nënshkrua nga Prorektorja për Bashkëpunim Ndërkombëtar e Kolegjit AAB, Venera Llunji, Natyra Zuna, nga zyra për Burime Njerëzore dhe Vigan Disha nga zyra e Marketingut në institucionin “KosInvest”. Studentët e Kolegjit AAB tani e tutje do të kryejnë punën praktike me pagesë edhe pranë kësaj kompanie, si dhe do të certifikohen me përfundimin e saj.